logo

Kryefaqja

Censusi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujor Dimërues: Rënie e numrit të shpendëve në ligatinat e Shqipërisë

Përfundimet e Censusit të shpendëve ujor dimërues në Shqipëri, pjesë e Censusit Ndërkombëtar, zhvilluar më 13-14 janar në rreth 143 shtete të botës, treguan se edhe këtë vit në ligatinat e Shqipërisë dimëruan një numër më i vogël i shpendëve ujor. Censusi u zhvillua në 33 ligatina të Shqipërisë dhe në të u përfshinë 91 specialistë të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura së bashku me 11 ekspertë të shpendëve, pjesë e organizatave joqeveritare.

“Rezultati i Censusit është që Shqipëria sivjet ka rreth 100 mijë shpendë uji që dimërojnë nëpër ligatinat shqiptare, duke filluar nga veriu drejt jugut, por nga pikëpamja e rëndësisë, Divjakë-Karavastaja është zona më e rëndësishme, e ndjekur nga Liqeni i Shkodrës, Vjosë-Narta, Kune-Vaini, e kështu me rradhë. Nëqoftëse marrim shifrat nga 1996, që ne i monitorojmë, ka një rënie të numrit të shpendëve, që do të thotë se duhen orientuar politikat që të mbrohen sa më mirë ligatinat, që të shtohet dhe numri i shpendëve ujor”, thotë Taulant Bino, nga Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë.

Në 38 vendet e numërimit të shpendëve ujor dimërues, në Liqenin e Shkodrës, atë të Vaut të Dejës, Lumit Buna, si edhe në Lagunën e Velipojës, sipas ekspertit të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura në Rajonin e Shkodrës, Tonin Macaj, u vërejt një rënie e ndjeshme e numrit të shpendëve ujor dimërues, gjë që dëshmon dhe për shëndetin e këtyre zonave.

“Në të gjithë zonën e Europës këtë vit ka patur një dimër shumë të butë, dhe shpendët që shtegtojnë për të kërkuar kushte më të mira, nuk kanë patur nevojë të spostohen. Kjo ka ndikuar që numri i shpendëve dimërues këtë vit ka qenë rreth 30% më i ulët se vitet e tjera”, thotë ai.

Për biologen Aurora Piroviq, një vëzhguese të vëmendshme të ndryshimeve në Liqenin e Shkodrës, shpendët janë tregues i ndikimit të ndryshimeve klimatike, por edhe pasojave të ndërhyrjeve të njeriut në mjedis. Sipas saj, akoma ekzistojnë aktivitete ilegale që sjellin edhe shqetësim të shpendëve, prishje të habitateve apo ndërhyrje dhe kërcënime ndaj tyre.

Sipas ornitologut Mirjan Topi, vitet e fundit këto zona po kërcënohen dhe nga prirja për urbanizim. Edhe pse ligatinat përfaqësojnë ekosistemet më të rralla, në të njëjtën kohë ato përfaqësojnë dhe ekosistemet më të rrezikuara në Shqipëri.

Drejtuesi i Shoqatës Ornitologjike të Shqipërisë, Taulant Bino, thotë se ekspertët mjedisorë shpresojnë të dëgjohet zëri i tyre, në mënyrë që ndryshimet mbi zonat e mbrojtura të mos miratohen dhe që të mos cënohen zonat e mbrojtura në Shqipëri.