logo

Kryefaqja

Rrjedhje e lëndëve kimike brenda kompanisë koreane në Fier? Disa punonjës përfundojnë në spital

Pak minuta më parë tre autoambulanca dhe mjete të policisë kanë shkuar brenda ambienteve të një kompanie koreane në Fier, pasi dyshohet se brenda ambienteve të saj ka pasur një rrjedhje të lëndëve kimike.

Dyshohet se punëtorët të cilët punonin në turn kanë shfaqur shenja alergjie gjatë orarit të punës, ku disa prej yre janë dërguar në spital. Ndërkohë në ambientet e fabrikës kanë mbërritur edhe familjarë të punonjësve që ndodhen brenda, por ende nuk kanë marrë asnjë informacion.

Gazetarja Marsela Topi bën me dije për BalkanWeb se në turnin e mbrëmjes punojnë rreth 100 punëtorë.

Sipas informacioneve pranë urgjencës së Spitalit Rajonal Fier, dy gra janë dërguar menjëherë në urgjence, por janë larguar sapo u është dhënë ndihma mjekësore. Gërvishtje në fyt ka qenë simptoma që u është shfaqur fillimisht,  më pas skuqje në lëkurë.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 20:30, disa punonjëse të një kompanie për prodhimin e sistemit elektrik dhe të pjesëve automobilistike, kanë shfaqur probleme shëndetësore dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

7 prej tyre kanë marrë ndihmën e parë në ambientet e kompanisë, dhe janë larguar në banesë, ndërsa njëra prej tyre vijon të marrë ndihmën mjekësore në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.