logo

Kryefaqja

Dita e Liqenit të Ohrit dhe Shkodrës/ Dy mrekulli të natyrës në skajet e Shqipërisë

21 qershori shënon fillimin e sezonit turistik në tri bashkitë që lagen nga liqeni i Ohrit: Struga, Ohri dhe Pogradeci.

Mesazhi është rritja e ndërgjegjësimit të publikut për një bashkëpunim sa më të madh  midis qytetarëve dhe autoriteteve për mbrojtjen e liqenit të Ohrit si një pasuri natyrore e pazëvendësueshme. Liqeni i Ohrit është një nga liqenet më të mëdha në Gadishullin Ballkanik, më i thelli dhe llogaritet si një nga liqenet më të vjetër në botë.

21 qershori 2006, shënon nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe Shqipëri-Mali i Zi, për mbrojtjen e liqenit të Shkodrës. Që nga ai vit, kjo ditë përkujtohet si Dita e Liqenit të Shkodrës, përmes një sërë aktivitetesh të përbashkëta, me qëllim nxitjen e menaxhimit të qëndrueshëm të ekosistemit të Liqenit, që vlerësohet si më i madhi në Ballkan. Fauna e liqenit është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Një perlë e kësaj pasurie është padyshim pelikani, zogu më i madh në Europë.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit nëpërmjet Laboratorit Analitik  si dhe Institutit të Shëndetit Publik kryen monitorimin e këtyre liqeneve bazuar mbi parametrat e Direktivës Kuadër të Ujit dhe indeksit trofik, po ashtu dhe monitorimin mikrobiologjik  në plazhet e liqenit të Ohrit që shtrihen nga Lini – Pogradec – Tushemisht.

Ujërat e liqenit të Ohrit vlerësohen me cilësi mezotrofike dhe oligotrofike, ndërsa ujërat e liqenit të Shkodrës vlerësohen me cilësi mezotrofike.

Në plazhet e liqenit të Ohrit vlerësohet se 50 % e stacioneve janë – Cilësi e shkëlqyer, 37.5 % – Cilësi e mirë, 12.5 % – Cilësi e mjaftueshme. Qëllim kryesor i AKM është vlerësimi i cilësisë së liqeneve dhe njëkohësisht dhënia e rekomandimeve për përmirësimin e situatës për të mbrojtur këto pasuri natyrore si dhe shëndetin publik./ ATSH